IPAZAR.AL
Dhjetor 13, 2017 10:16:05
Dorothy, 92-vjeçarja britanike që erdhi në Shqipëri të marrë unazën e vëllait 12/03/2015
Ajo është 92 vjeç, në gjendje jo të mirë shëndetësore, megjithatë ka udhëtuar nga Londra në Tiranë për të marrë me vete gjurmën e vëllait. Dorothy Webster është motra e inxhinierit britanik të fluturimeve, John Thompson, i aksidentuar në tetorin e vitit 1944 në Bizë të Martaneshit.

Unaza, rruga e gjatë e kthimit në shtëpi
Rrënojat e “Halifax”-it të “Skuadronit 148” qëndruan për shumë kohë në malet shqiptare, derisa një ditë Jaho Çala gjen aty një unazë me mbishkrimet John dhe Joyce. Këtë unazë ai ia la amanet të birit, që një ditë t’ua kthente atyre që u përkiste. Pas shumë kërkimesh nga Ambasada britanike dhe ajo amerikane në Tiranë, u ra në gjurmët e pasardhësve të Thompson.

11 familjarë, ish-atasheu i Ambasadës britanike dhe një ekip nga BBC, erdhën për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku Xhemil Çala i dorëzoi “unazën e tij të martesës” Dorothy Webster. Ambasadori britanik me bashkëshorten e tij i qëndruan pranë.

Për ta përshëndetur ishte edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ceremonia filloi me këndimin e himneve të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Në fjalën e rastit, të gjithë e vendosën theksin te fisnikëria e zotit Çala dhe te një dashuri, e cila zbuloi shumëçka. Djaloshi 23-vjeçar, i cili humbi jetën në tokën shqiptare ka afruar më shumë dy kombet. Në fundin e ceremonisë Dorothyt iu dha gjurma e vetme e të vëllait, një gjurmë për të cilën kishin pritur aq shumë. Gjithashtu Jaho Çalës, personi i cili gjeti unazën, iu dha “Çertifikata e Mirënjohjes”, të cilën e tërhoqi i biri.

Kjo ceremoni e pazakontë tërhoqi vëmendjen e shumë mediave të rëndësishme botërore, të cilat raportuan për historinë e unazës, që i rikthehet familjes pas 70 vitesh.

Ishte një ditë e ngrohtë marsi dhe klima e Tiranës duket se iu pëlqeu shumë miqve anglezë. Sapo iu prezantuam si ekipi i “Pasdite në Top Channel”, na kujtuan menjëherë nga emisioni që realizuam disa kohë më parë.

Për të nderuar deri në fund personat që dhanë jetën për liri, ata vendosën kurora me lule në memorialin e të rënëve britanikë në Tiranë. Me pak vështirësi, për shkak të moshës dhe emocioneve, Dorothy tregoi sesi ishte John dhe rrëfen takimet e fundit me të.

Zhdukja e të birit pa lënë gjurmë u përjetua me dhimbje të madhe nga prindërit e tij. E pikëlluar ishte edhe bashkëshortja, pranë së cilës qëndroi vetëm dy ditë.

“Në fillim nuk e besonim dot se avioni i tij ishte rrëzuar, nuk e besonim që ishte ai. Mendonim që bëhej fjalë për ndonjë John tjetër. Por pastaj u vërtetua që ishte ai dhe historia u bë e njohur, por ne nuk dinim asgjë. Im atë u përpoq të merrte vesh çfarë kishte ndodhur, por gjithnjë i jepnin përgjigje kontradiktore, e prandaj ai mendonte se bëhej fjalë për një sekret lufte. Ishte një periudhë e vështirë për ne”, shprehet motra e John. “Ne e pamë Johnin për herë të fundit rreth 6 muaj përpara lejes së fundit, që mori kur u martua në Londër. Nuk e takuam më prej asaj dite. Joyce, gruaja e Johnit u nda nga jeta në moshën 70-vjeçare. Kaloi një periudhë shumë të vështirë, kur mësoi humbjen e Johnit. Në një çast madje u përpoq të vriste veten, por e shpëtuan. Me Joyce nuk patëm shumë komunikim në fakt, shkëmbenim ndonjë letër herë pas here, por asgjë më shumë se kaq”.

Pothuajse të gjithë njerëzit e afërt të John Thompson kishin vdekur pa e mësuar kurrë se çfarë kishte ndodhur me të. Fati deshi, që vetëm motra e tij të jetonte momentin, kur gjurma e vetme e tij u shfaq.

“Kur mësuam që unaza e Johnit ndodhej në Shqipëri, nuk dinim të besonim apo jo, sepse kishim dëgjuar shumë gjëra të tjera më parë. Por më në fund ndiejmë pak qetësi, tani që mësuam se ku e humbi jetën Johni”.

Britanikët po i shijojnë shumë këto ditë të bukura në Shqipëri, e kjo tregohet edhe nga 92-vjeçarja.

“Këto ditë që kemi kaluar këtu në Shqipëri kanë qenë të mrekullueshme. Familja jonë nuk ka për ta harruar kurrë. Të gjithë njerëzit, që bënë të mundur gjithë këtë gjë, janë treguar shumë të dashur. Nuk e mendoja dot kurrë që do të ishte e mundur”.

Ambasadori britanik Nicholas Cannon e vlerësoi lart gjestin e shqiptarit, që e mori dhe e ruajti unazën gjatë viteve të vështira të diktaturës, kur familja e tij edhe u internua.

“Mendoj që kjo histori është ngushëlluese, një histori ndienjash njerëzore. Historia e një familjeje, e cila më në fund arriti të mbyllë një copëz të jetës së tyre. Por njëkohësisht kjo ngjarje na flet për popullin britanik dhe atë shqiptar. Nga njëra anë kemi një familje britanike, e cila nuk harroi kurrë vëllanë e vrarë në luftë, e që luftoi për lirinë në Europë. Mënyra sesi ata ende e kujtojnë këtë gjë flet për traditën dhe kulturën britanike. Nga ana tjetër, edhe mënyra sesi një burrë e gjeti unazën, e ruajti dhe ia dha të birit, i cili më pas ia doli të përmbushte amanetin e të atit, tregon gjithashtu për kulturën dhe traditën shqiptare. Përmes kësaj historie të thjeshtë të dy familjeve, ne mësojmë shumë për anët e mira të shoqërive tona dhe besoj se kjo është ajo që na bashkon”, tha ambasadori britanik Nicholas Cannon.

Në memorialin e të rënëve britanikë në Tiranë shumë shpejt do të shkruhet edhe emri i John Thompson, inxhinieri i fluturimeve pjesë e “Skuadronit 148”, i cili humbi jetën tragjikisht në tokën shqiptare, ku ishte nisur për të ndihmuar partizanët. Sigurisht që do gdhenden emrat e gjithë ekipit britanik, të cilët as nuk dihej se ku kishin rënë, deri sa një unazë, simbol i dashurisë së John dhe Joyce, bëri të mundur të hidhej dritë mbi misterin e zhdukjes së atij avioni.